Pas fitores në derbin durrsak ndaj Goga Basket një javë më parë dhe triumfit ndaj Bashkimit në Ligën Ballkanike, skuadra e Teutës ka korrur sot fitoren e tretë radhazi në 7 ditë, duke mundur Kamza Basket me rezultatin 116-78.
Ky sukses ka ngjitur ekipin durrsak në krye të renditjes së Superligës në basketboll për meshkuj. Ndeshja e luajtur në Kamëz ka qenë një formalitet për miqtë nga Durrësi, që kanë patur epërsi gjatë gjithë kohës, duke e komanduar atë dhe thelluar shifrat minutë pas minute.
Kamza nuk pati asnjë shans të rivalizojë, duke qenë gjithnjë në ndjekje, pa patur forcën e duhur për të ndalur miqtë. Java e 4-t e Superligës do të mbyllet nesër, ku spikat ndeshja mes Goga Basket dhe Partizanit, me të kuqtë që synojnë të qëndrojnë të pamposhtur në kampionat edhe pse luhet në fushën e rivalëve.
Po nesër luhet edhe klasikja e basketbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, dy ekipe legjendare, por që këtë sezon mbyllin renditjen.





