Nga DurrësLajm

Mëngjesin e së shtunës, ndërsa mediet dhe portalet po publikonin lajmet e para të ditës, që zakonisht janë ato për parashikimin e motit, shtypin e ditës apo horoskopin ditor, një lajm i fundit u nxorri gjumin edhe atyre që ndoshta e kishin marrë zgjimin pak me dembelizëm, meqë është dita e parë e fundjavës.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kishte dhënë dorëheqjen. Një lajm ‘bombë’ që pak kush e priste, madje as opozita, që për muaj me rradhë kishte kërkuar dorëheqjen e tij, pas bërjes publike se vëllai i Xhafajt, Agroni, ishte dënuar për trafik droge në Itali, dënim që nuk e kishte vuajtur. Dorëheqja e Xhafajt u kërkua me forcë edhe pas publikimit të regjistrimit audio ku personazhi Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” pretendonte se kishte incizuar një bisedë me vëllanë e Ministrit të Brendshëm, ku diskutonin për pazare droge. Të gjithë e kujtojmë se pa kaluar as 24 orë nga publikimi i përgjimit, kryeministri Rama doli dhe tha se përgjimi ishte i sajuar, pasi laboratori ku e kishte dërguar ia kishte konfirmuar këtë fakt, por pa thënë se në cilin laborator e kishte dërguar dhe pa i lënë ende kohën e duhur Prokurorisë të fliste për çështjen në fjalë.

Mbrojtja e fortë e Ramës ndaj Xhafajt, në një kohë që gjithë vëmendja e opinionit publik ishte përqendruar tek ai, shumëkujt i kujtoi mbrojtjen që Rama i bëri paraardhësit të Xhafës, Saimir Tahirit, kur denoncimin e bërë nga ish-oficeri i antidrogës Dritan Zagani, që akuzoi ministrin e preferuar në atë kohë të Ramës për lidhje me kushërinjtë e tij trafikantë droge, Habilajt, dhe për vënien në dispozicion të makinës së ministrit pikërisht kushërinjve Habilaj, kryeministri e përbuzi fort, madje e cilësoi oficerin tashmë të larguar për të kërkuar azil në Zvicër “horr”.

“Një horr i kthyer një hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”,- tha në atë kohë Rama për Zaganin.

Kryelajme të javës që po lëmë pas u bënë arrestimet e 4 grupeve kriminale në kuadër të operacionit policor “Vol-Vo 4”, ku në pranga përfunduan anëtarë të grupit kriminal Avdylaj, nga Shijaku, arrestimet e dy ish-deputetëve të PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, apo zbulimi i laboratorit të heroinës në Has.

Këto aksione policore, të mbështetura edhe nga asistenca e partnerëve ndërkombëtarë, u dukën si një përgjigje e fortë që policia, e drejtuar nga ministri Xhafaj, po i jepte krimit në disa qarqe të vendit.

E ndërsa të gjithë mendonin se pozitat e Fatmir Xhafajt ishin më të forta se kurrë, Ministri i Brendshëm “zgjodhi” të japë dorëheqjen, ende pa u fashitur zhurma që shkaktuan arrestimet e fundit. Por lajmi për dorëheqjen e tij nuk u dha nga vetë Xhafaj, por nga kryeministri Rama, që njëkohësisht njoftoi edhe pasuesin e tij në këtë post!!! Madje Xhafaj nuk tregoi as arsyen që e shtyu të japë 'dorëheqjen'.

Dorëheqja e Xhafajt vjen vetëm pak pasi vëmendjen e medias dhe opozitës, pas arrestimeve të fundit, e zuri denoncimi i faktit se kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako shfaqej në përgjimet e prokurorisë duke folur me anëtarë të bandës së Avdylajve. Opozita prej më shumë se një viti kishte denoncuar se Dako ishte kapur në përgjime të Prokurorisë duke folur me bandat kriminale për t’u kërkuar favore elektorale, madje se kishte një dosje me nr.339 për të.

Dako do të bëhej kryelajm ditën e enjte dhe të premte, kur do të shfaqej në emisionin “Opinion” për të sqaruar pozicionin e tij mbi akuzat e ngritura. I ndjerë nën presion, pasi po kalonte disa nga ditët më të vështira të karrierës së tij në politikë, Dako bëri disa deklarata të habitshme, që bënë xhiron e medieve dhe u kthyen në meme. “S’ka bir k*urve, që flet më shumë se unë! Jam akullore! Jam Supermen!” ishin disa nga perlat e Dakos mbrëmjen e së enjtes.

Ndërsa prej më shumë se një viti, opozita denonconte Dakon, por pa paraqitur prova konkrete, arrestimet e policisë së drejtuar nga Xhafaj dhe rrjedhja e disa përgjimeve nga Prokuroria, nxorrën në dritë se kishte indicie që mund ta implikonin kreun e bashkisë së Durrësit në shit-blerjen e votave. Madje opozita tha se ishte prerë edhe mandat arresti për Dakon, por se po hidheshin miliona për të mos e ekzekutuar atë. 

Kjo duket se nuk është gëlltitur nga Rama, që Dakon e ka një nga njerëzit e tij më të afërt. Si për t’i treguar mbështetjen e tij, Rama u fotografua me benianimin e tij në Durrës, fill një ditë pas intervistës së famshme në “Opinion”. Kreu i qeverisë duket se kishte bërë zgjedhjen e tij, në mes Dakos dhe Xhafajt, zgjodhi të parin, kjo ndoshta edhe sepse siç është artikuluar shpesh në medie, marrëdhëniet mes shefit të qeverisë dhe vartësit të tij ministër nuk ishin shumë të ngrohta. Xhafaj, i cili flitet se gëzon mbështetjen ndërkombëtare, dha ‘dorëheqjen’ pikërisht kur puna e tij po jepte rezultate bindëse në luftën kundër krimit dhe kur një personazh me pseudonimin “xhuxhi” shfaqej në bisedat mes anëtarëve të grupit kriminal Avdylaj. 

Rama caktoi si pasardhës të Xhafajt këshilltarin e tij për Sigurinë, gjeneralin Sandër Lleshi. A do të punojë ministri i ri për të “ftohur pataten e nxehtë” që duket se fsheh dosja hetimore për Dakon dhe grupet kriminale, kjo mbetet për t’u parë.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se edhe nëse nuk do të kandidonte për herë të katërt për mandatin e qytetarit të parë të Durrësit do të vijonte të mbetej koordinatori politik i PS-së për Durrësin, Shijakun e Krujën. Por pyetja që shtrohet është se a do ta lëshojë Rama në të ardhmen edhe Dakon, ashtu siç bëri me Tahirin apo Xhafajn. Përsëritja e rastit Rroshi do të ishte një skenar thuajse i pamundur. Rama nuk mund të rrezikojë, të paktën tani për tani, ta lëshojë Dakon. Jo sepse e ka njeriun e tij të afërt, por sepse do të merrte një goditje knockout pushteti i tij. Analistët që e njohin mirë kryeministrin kanë nënvizuar shpeshherë, se kur bëhet fjalë për prekjen e interesit të tij, Rama i ‘jep duart’ gjithkujt.

Por, të paktën tani për tani, Rama është i fokusuar të largojë vetëm ata që i mbaron emri me …mir!