Një ditë pas intervistës në emisionin “Opinion”, ku për herë të parë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dha përgjigje për bisedat e përgjuara nga prokuroria ku Dako shfaqej duke folur në telefon me anëtarë të bandës së Avdylajve si dhe për akuzat e artikuluara nga opozita gjatë këtyre ditëve, kreu i bashkisë shfaqet përkrah kryeministrit Rama në një aktivitet.

Foton e ka publikuar në Facebook, kompleksi “Pema e jetës” që në komentin përkrah fotos shkruan: Nje kujtim i bukur sot me Z. Edi Rama dhe miq te tjere qe na nderuan duke organizuar ne ambientet e fermes sone Pema e Jetes shpalljen e fillimit te projektit IPARD per Agroturizmin dhe bujqesine ne pergjithesi”.

Opozita këto ditët e fundit ka denoncuar faktin se Dako po mbrohet nga Rama, pasi është kthyer fletë arresti që ishte prerë për të. Shfaqja e Dakos përkrah Ramës, edhe pas akuzave të forta në adresë të tij, nënkupton se ai vazhdon të mbetet një nga njerëzit më pranë kryeministrit.

Por në çfarë konsiston programi IPARD 2, i prezantuar sot nga kreu i qeverisë?

Programi Bujqësor dhe Rural, IPARD 2, është një bashkëfinancim i BE dhe qeverisë shqiptare, me vlerë të përgjithshme 94 milionë euro. Programi është një mbështetje për investime në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillimin rural. 

Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e programit në një takim të posaçëm me sipërmarrës në fushën e agroturizmit, si dhe fermerë, në zonën e Shkallnurit, në Durrës.

Programi synon të mbështesë fermerët, shoqëritë e bashkimit bujqësor, stabilimentet e përpunimit ushqimor, mikrosipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private, për të rritur kapacitet, standardet, shumëfishuar prodhimin dhe transformuar e modernizuar mjedisin bujqësor. Hapja e thirrjes së parë për aplikime parashikohet në datën 30 nëntor 2018, me kohëzgjatje për aplikim 60 ditë.  ​