Edlira Hyseni, këshilltare e LSI-së, ishte e vetmja që tërhoqi opozitën në llogore në Këshillin Bashkiak të Durrësit.
Demokratët, veç me dy zëra edhe ata krejtësisht anemikë, nuk ngritën zërin e vërtetë opozitar në një mbledhje ku më shumë se kurrë kishin çfarë të thonin. Kjo sepse kreu i bashkisë, Vangjush Dako, ishte nën sulm politik, shumë të madh, prej më shumë se dy ditësh, pasi kërkohej arrestimi i tij nga Lulzim Basha. Ndoshta, kryebashkiaku, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë për kandidimin për mandatin e tij të katërt, i kishte parashikuar mirë të gjithë debatet e këshillit, dhe paçka se nuk ishte në ditën e tij më të mirë, “punoi me mend” duke jua mbyllur gojën këshilltarëve të opozitës.
Dako ju tha se do t’jua miratonte çdo projektvendim që këshilltarët e PD-së do të paraqisnin në këshill, e kësisoj opozita i paraqiti duke marrë bekimin e bashkisë.
Dako mungoi në mbledhjen e Këshillit, por kjo u konsiderua tërësisht normale nga opozita, e cila edhe ia qau hallin e mungesës.
Këshilltarja Edlira Hyseni bëri të ditur gjatë mbledhjes së Këshillit vlerën reale të rikonstruksionit të rrugës “Egnatia”, që shumë pak persona e dinin në bashkinë e Durrësit.
Pavarësisht se u bë muaj me radhë që kanë nisur punimet në rrugën “Egnatia” askush nuk e di që investimi është 3 milion euro. Që 2 milionë janë investuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa 134 milionë të tjera investohen nga bashkia e Durrësit në vitin 2019, por që për shpejtësi të mbylljes së punimeve u miratua fondi që këtë vit nga ky këshill.
DurrësLajm i kërkoi zyrtarisht bashkisë në muajin korrik të këtij viti të dhënat për këtë investim, por edhe vetë bashkia duket se nuk ishte në dijeni, apo projekti mund të ketë ndryshuar gjatë muajve që pasuan. Projektvendimi i cili mbante numrin rendor 7, kishte shumë pak të dhëna se për çfarë bëhej fjalë realisht.
“Për një ndryshim në VKB nr.469 datë 23.12.2017 “Për miratimin e Buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2018 si dhe projektbuxhetin afatmesëm të Bashkisë Durrës për vitet 2018-2020”, thuhej në pikën nr.7 të rendit të rendit së mbledhjes së Këshillit.
Këshilltarja Hyseni debatoi në lidhje me transparencën e fondeve të miratuara për rrugën “Egnatia” dhe zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. Hyseni tha se “për 500 metra rrugë nga shkolla “Jusuf Puka” deri tek Banka tregtare po kërkohet të miratohet fondi prej një milion euro për rikonstruksionin e saj”. Hyseni vijoi më tej duke theksuar se nuk është aspak normale që Këshilli të paraqesë si relacion tre a katër faqje me fotografi të rrugës, ku duken disa punëtorë duke punuar e të kërkojë pa dhënë asnjë shpjegim të detajuar teknik se çfarë do të ndodhë në këtë rrugë.
Hyseni replikoi gjatë duke thënë se nuk është aspak kundër miratimit të dy fondeve, atij prej 2 milionë euro të rikualifikimit të zonës turistike në Shkëmbin e Kavajës dhe të rrugës “Egnatia” në të cilën bashkia investon 1.1 milion euro.
Kjo mbledhje tregoi se kryebashkiaku Vangjush Dako di si ta menaxhojë opozitën e Partisë Demokratike, madje, edhe t’ju japë urdhër, kur duhet e kur nuk duhet të flasin.
Demokratët do shkojnë në zgjedhjet vendore pas një viti, por një gjë e kanë të sigurt! Ata nuk do ta fitojnë asnjëherë betejën kundër Vangjush Dakos me këtë mënyrë që funksionon opozita në Durrës. Dako po tregon që është një lojtar i madh, edhe në ditët më të vështira të tij, si pasojë e sulmit politik ndaj tij të PD-së qendrore.
Si asnjëherë më parë, të djathtë e të majtë kanë votuar pro të 17 projektvendimet e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Durrësit, ku nuk mori pjesë kryebashkiaku Dako.
K.H.