Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka paditur në Gjykatën Administrative urdhrin e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, e cila vendosi komandimin e tij në Prokurorinë e Pogradecit.

Ai kështu i bashkohet prokurores Sonila Muhametaj, e cila u komandua gjithashtu në Prokurorinë e Pukës pas përplasjeve muajin e shkuar me shortin e dosjes “Shullazi”.

Besim Hajdarmataj ishte një ndër tre prokurorët që u komanduan në rrethe nga Marku pas bojkotimit të shortit për dosjen “Shullazi” në shtator dhe një ndër 10 prokurorët e cilësuar “rebelë”, që refuzuan shortin dhe që janë ende nën hetim disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ai kërkon me padinë e tij, që të shfuqizohet urdhri dhe të kthehet në detyrën që mbante, prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai bëhet kështu i dyti prokuror, i cili padit Markun në Administrative për komandimin. Kujtojmë se përplasja për shortin e “Shullazit” ndodhi në muajin shtator përpara se të jepej pretenca për grupin.

Ish-prokurori i dosjes Ened Nakuçi u largua jashtë vendit me leje, ndërsa prokurorja tjetër që kishte dosjen, Elisabeta Imeraj, ishte komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës. Për këtë, Prela mblodhi prokurorët dhe kërkoi që të hidhej në short zëvendësimi i tyre në dosje.

Kjo u kundërshtua nga 10 prokurorë, që braktisën shortin, duke e cilësuar si antiligjor. Më pas, Prela mori vetë situatën në dorë, duke marrë dosjen së bashku me zv/drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gentjan Osmanin dhe prokurorët Anton Martini dhe Besnik Muçi.