Lancinet Sidibe iu prezantua futbollit të elitës në Shqipëri me ngjyrat e Flamurtarit. Mesfushori i mbërritur nga Besëlidhja në Vlorë u shndërrua shumë shpejt në një pikë referimi për skuadrën që asokohe drejtohej nga Shpëtim Duro, zgjati vetëm një edicion përvoja e tij me kuqezinjtë dhe afrikani kaloi tek Teuta. Këtë fundjavë mesfushori do të ketë përballë pikërisht ish skuadrën e tij, për të cilën ka nostalgji, por kjo ndienjë nuk do ta frenojë për të kërkuar triumfin.

“E respektoj Flamurtarin, sezonin e shkuar isha pjesë e skuadrës dhe kjo është një ndeshje e veçantë për mua, e dua Flamurtarin, por është futboll dhe ne shpesh herë jemi si turistë, një periudhë luajmë për një skuadër në një moment tjetër ndryshojmë fanellë. Natyrisht dua të bëjë maksimumin në këtë takim, ndoshta edhe më shumë se në ndeshjet e tjera, sigurisht synimi im është ta fitoj këtë sfidë.”

Teuta e mbylli fazën e parë duke siguruar dy fitore të njëpasnjëshme, 21-vjeçari e vlerëson maksimalisht ekipin e tij jo vetëm për anën teknike por edhe për frymën pozitive që ekziston mes lojtarëve. “Jam shumë i lumtur për këtë ecuri të skuadrës sespe për mendimin tim Teuta këtë vit është ekipi më i mirë. Jemi të gjithë si një familje, kemi një trajner shumë ta aftë dhe çdo gjë po shkon në mënyrën e duhur.” Mesfushori nga Guinea e mbyll me një urim që nuk ka nevojë për përkthim.