Mbledhja e këshillit Bashkiak të Durrësit, e mbajtur pasditen e sotme në orën 18.00, është karakterizuar si rrallë herë nga mirëkuptimi i këshilltarëve të të gjitha kaheve politike.

Megjithëse ka pasur disa debate sporadike, secila nga 17 pikat e rendit të ditës ka marrë miratimin e këshilltarëve, që kanë dhënë votën e tyre pro tyre.

Në ndryshim nga mbledhjet e mëparshme, kur këshilltarët e PD ngrinin zërin dhe shprehnin qëndrimin e tyre kundër disa prej pikave më të nxehta të rendit të ditës, këtë herë ata kanë bashkuar votat me PS dhe LSI.

A mund të shihet kjo si një lloj mbështetjeje morale për kreun e bashkisë Durrës, emri i të cilit është lakuar mjaft ditët e sotme në media, menjëherë pas arrestimeve masive policore në disa qarqe të vendit në kuadër të operacionit Vol-vo 4?!

Vlen të theksohet se kreu i bashkisë nuk ishte i pranishëm në mbledhje, ndërkohë që mbrëmjen e sotme do të shfaqet në një emision televiziv për të sqaruar akuzat e ngritura në adresë të tij nga opozita dhe lideri i saj Lulzim Basha.

Ditën e nesërme, DurrësLajm, do të bëjë një shkrim të zgjeruar lidhur me mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak dhe pikat e debatueshme të rendit të ditës, ku disa prej tyre lidhen me fonde me vlerë të lartë monetare, akorduar për rikosntruksionin e disa rrugëve dhe klubit shumësportësh “Teuta”.