Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USCG) konfirmon se Shqipëria ka bërë përmirësime të konsiderueshme në zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe të Porteve (Kodi ISPS).

Konkluzioni është pjesë e rezultateve të monitorimit të sigurisë portuale të kryer në Shqipëri në korrik 2018 nga përfaqësuesit e Programit Ndërkombëtar të Sigurisë Portuale (NSP) të Rojes Bregdetare të SHBA-së.

Në letrën e dërguar nga Kapiten M.W.Brown, Shef i Zyrës të Sigurisë në Porte Ndërkombëtare dhe Vendore të Rojes Bregdetare Amerikane për ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri thuhet se “vendi juaj (Shqipëria) ka marrë masa të qarta dhe efikase për garantimin në vazhdimësi të sigurisë në porte”.

Klasifikimi i kryer nga Roja Bregdetare Amerikane konsiderohet shumë i rëndësishëm për portet dhe hapësirën detare shqiptare, pasi është një mesazh inkurajues që çon në rritjen e interesit të operatorëve ndërkombëtarë të transportit detar të mallrave, pasagjereve dhe specifikisht të turistëve me anije kroçiere për të eksploruar territorin e vendit tonë.