Cristiano Ronaldo u rikthye në "Old Trafford", aty ku ka kaluar një periudhë të rëndësishme të karrierës së tij, plotë 6 vite nën "dirgjimin" e Sir Alex Ferguson, i cili besoi te të dhënat e portugezit menjëherë sapo e mori nga Sporting-u i Lisbonës.

Ronaldo, këtë herë me fanellën e Juventus-it, ishte kundërshtar i "Djajve të Kuq", të cilët drejtohen nga Jose Mourinho. Fitorja 0-1 e bardhezinjve nuk u vulos nga këmbët e pesë herë fituesit të çmimit "Topi i Artë", megjithatë, ishte pjesë e skuadrës triumfuese. Por, në "Old Trafford" Ronaldo u rikthye pas në kohë, ku padiskutim prania e Sir Alex Ferguson ishte mjaft e rëndësishme për të.

"Një trajner i mirë dhe mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm. Mësova shumë gjëra brenda dhe jashtë fushës. Është e mrekullueshme të të shoh në formë të mirë, Shef!", shkruan ditën e sotme ylli portugez për ish-trajnerin e tij, duke i bashkëngjitur dhe një foto të shkrepur ditën e djeshme.