Teuta e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e parë duke siguruar fitoren e dytë radhazi në një kohë që në renditje ndodhet vetëm dy pikë larg vendit të 3-të që mbahet nga Kukësi.
Një nga lojtarët me më shumë përvojë tek “djemtë e detit” mbrojtësi Ditmar Bicaj, në një rezyme të shkurtër e vlerëson pozitivisht sezonin që ka zhvilluar Teuta deri më tani.
Në disa takime skuadra durrsake ka paraqitur një futboll për t’u admiruar, e kundërta ka ndodhur në sfida të tjera dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe 29-vjeçari, i cili gjithsesi zgjedh rezultatin përpara lojës së mirë.
Kundër Flamurtarit do të jetë një përballje e veçantë për lezhjanin, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e kuqezinjve, megjithatë përpos ndjenjave personale, synimi është rrëmbimi i maksimumit të pikëve në stadiumin e Vlorës.
Ditma Bicaj ka qenë një titullar i padiskutueshëm në këtë sezon tek Teuta duke u aktivizuar në të gjitha takimet me minutazh të plotë teksa është shfaqur vendimtar edhe në sulm duke shënuar një gol ndaj Skënderbeut dhe fituar një 11-metërsh në takimin ndaj Kastriotit.





