Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me akuzat ndaj deputetit socialist Taulant Balla për kapjen e dy automjeteve “Toyota Yaris” me 3.4 mln euro.
Pas dëshmisë Basha deklaroi se akuzat e tij janë të vërteta, ndërsa shtoi se në këtë çështje janë të përfshirë edhe dy deputetë të tjerë socialistë.Sipas tij, prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës.
"Janë të përfshirë edhe dy deputetë të tjerë të PS, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Deklaratat e mia kanë qenë publike për përfshirjen e Ballës në trafikimin e parave të pista. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika. E kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës prokuroria po i trajton lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror. Po mbron lidhjet e Ballës me bandat të Dakos me bandat të Sejdinit me bandat e të Tahirit me bandat, po i trajton si sekretor shtetëror. Nëse prokuroria do të kishte vepruar si duhet sot Balla, Dako e Sejdini do ishin në burg, ndërsa Fatmir Xhafaj do ishte jashtë politikës. Nuk jam i paduruar e di që drejtësia do të vonojë por do të vi dita kur para drejtësisë do të jenë edhe ato që e kanë shndërruar drejtësinë në aksesor të krimit të organizuar Arta Marku e Donika Prela."





