Kryeministri Edi Rama ka dalë nga rendi i ditës në seancën e sotme Parlamentare, duke folur për vendimin e Qeverisë për të mbyllur kazinotë dhe bastet duke filluar që nga janari i vitit 2019.
Rama theksoi se do të mbyllen të gjitha kazinotë dhe bastet. Ndërsa sa i përket basteve online, që është një proces kompleks edhe në vendet e tjera, Rama sqaroi se do të ketë një tjetër diskutim se si do të procedohet, teksa vuri theksin se nuk do të ketë asnjë monopol shtetëror për bastet.
“Jam shumë i sigurt se ky grup parlamentar do t’u japë prindërve të këtij vendi, nënave, grave, vajzave edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin, një dhuratë të shumëpritur dhe terapeutikisht të domosdoshme, mbylljen e kazinove elektronike, të basteve sportive dhe të basteve online. Përsa i përket online-it, që është një drejtim shumë kompleks, do të arrijmë në një konkluzion të studiuar dhe do të mund të kemi një diskutim të mëvonshëm.
Ka propozime të ndryshme edhe sa i përket idesë së një monopoli shtetëror të lojërave të fatit. Por, që sot po jua them unë personalisht, jam kundër. Megjithatë të gjitha diskutimet janë të hapura. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë si zona turistike. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër.
Më vonë po ky Parlament do të vendosë që të hapë një dritë edhe për online-in. Online luhet dhe në telefon, por duhet të kesh kartë identiteti bankar dhe nuk mund të bësh dot transaksion. Sidoqoftë kjo është temë që nuk është e aktualitetit”, tha Kryeministri gjatë fjalës së tij në Parlament.





