Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar (dega Durrës) dhe Bankën Lëvizëse Kombëtare të Gjakut organizojnë ditën e hënë fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut. 

Veprimtaria ku do të marrin pjesë punonjësit portualë do të vijojë nga ora 9.00 – 16.00 në mjediset e Sektorit te Shërbimit Mjekësor – Mbrojtja e Shëndetit pranë APD.

“Kush dhuron gjak, shpëton një jetë” është moto e kësaj nisme dhe e gjithë sasia e dhuruar do të shfrytëzohet në ndihmë të fëmijëve talasemikë. 

“Të dhuroni vullnetarisht Gjak në ndihmë të Fëmijëve Talasemikë, jeta e të cilëve do të ishte e mundur vetëm nëpërmjet Transfuzioneve të Gjakut për ne nuk kushton asgjë, ndërsa për fëmijët do të thotë Jetë-shkruhet në Njoftimin për punonjësit portualë.

Autoriteti Portual ka një përvojë të mirë në mbështetje të fushatave për dhurimin e gjakut.  360 punonjës të APD aktualisht janë anëtarë të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Dhurimi i gjakut bëhet në kushte optimale higjenike, në prani të stafit mjekësor të kualifikuar. Në prani edhe të Stafit mjekësor të APD, fillimisht çdo dhurues i nënshtrohet matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës për të përcaktuar gjendjen shëndetsore para dhurimit.