Nga Artur Çani

S’kemi mëri personale me ty.

I bëjmë nga ajo që na peshon në ndërgjegje.

Na vjen shumë keq dhe ju kërkojmë të falur shqiptarëve, pasi, që fillimisht i besuan dhe e mbështetën këtë personazh.

Larg njohjeve “të rëndësishme” dhe shitblerjes tek politika, ne kemi zgjedhur t’i rrimë besnikë linjës tonë të transparencës, kundër politikës pirate.

E kemi mbështetur Edi Ramën, sepse besonim se meritonte të vinte në pushtet dhe se dispononte aq maturi e vullnet sa për t’i prirë zhvillimit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Ne ishim dhe jemi të bindur se Shqipërisë i nevojitet një lider i zgjuar, jo mashtrues, koshient për atë çfarë bën, që s’ka frikën e delirin si tutor, për politikat e shëndetshme europiane.

Një lider që ka jetuar e aspiruar në perëndim dhe që nuk e sheh pushtetin si formë për të mbajtur nën kontroll sëmundjet e veta mendore, por si mjet në shërbim të një vizioni të qartë për qytetarët e tij.

Fatkeqësisht dhe me përgjegjësi të lartë deklarojmë se me ty Edi Rama jemi gabuar rëndë.

Edhe ti vetë e di që ajo çfarë aspirojmë ne dhe shumica e shqiptarëve s’ka kurrëfarë lidhje më me ty. Ti je vetëm një vegël në duart e krimit sot dhe s’ke për t’u çliruar kurrë më prej tij.

Çdo gjë ishte dhe mbeti një ëndërr me fund dramatik.

Keqpërdore të gjitha mundësitë dhe besimin, që te dhamë.

Të ndoqëm, të promovuam të gjithë bashkë dhe na zhgënjeve përtej të imagjinueshmes.

Me pamjen, gjestikulacionin dhe batutat gjithmonë e më patetike, prej aktori të lodhur, ti je vërtetimi i asaj se gjërat shpesh nuk janë ato që duken.

Me megallomaninë, që s’vlen më dy grosh, jo shumë vite më parë ndizje shpresat e shqiptarëve të zakonshëm, atyre shqiptarëve ku bëjmë pjesë edhe ne.

Na mbysje me premtime, fjalë të bukura e rrahje shpatullash. Na bëje të besonim të pabesueshmen… Po sot, sot ku janë të gjithë këto premtime? Po ne shqiptarët e zakonshëm, ku jemi? Ne që s’kemi nga dy tre armë tek shtëpia, që skemi fis belaçurësh e s’i biem kujt në qafë. Ne që nuk trafikojmë drogë e s’bëhemi miq me ministra të korruptuar për tu mbajtur me lekë te pista krimi. Ne që duam arsim, shëndetësi e qetësi publike. Fundja ne që duam një jetë e shtet normal, ku jemi ne?

E zoti Kryeministër! A ka momente që kthjellohesh sadopak zotrote sa per t’i drejtuar këto pyetje vetes, apo si gjithë të devijuarit rëndë, e eviton me fanatizëm përballjen me të vërtetën?!

Ta themi ne te vërtetën edhe pse ti po përgatit paketen “pro shpifje” për të na mbyllur gojën, por për makthin tënd më të keq, ne nuk do të rreshtim së thirruri te vërtetën, edhe në kushtet më të pamundura.

Ne të njohim mirë dhe e dimë sa i rrezikshëm je. Shqipërinë e ke kthyer në kantier krimi, droge e korrupsioni dhe do ta zbrazësh nga shqiptarët normal. Kujt s’ia mban t’i rrijë lojës, bën mirë t’ia mbathë sa më shpejt, ndryshe do t’i duhet të përballet me shokët e tu, që të bëjnë gjëmën.

Edi Rama ti do të mbahesh mend gjatë në histori si varrmihësi i fundit i shpresës së shqiptarëve!

Sajove lloj lloj marifetesh për të na marrë votën. Monologjet e tua shumë orëshe me fraza e figura të studiuara, rrëmbyen edhe zemrat e shqiptarëve më mosbesues. Na nxorre në rrugë, të mbushim sheshet, të vritemi për ty. E për çfare? Që të rrethoheshe me tëpaaftë, hajdutë, mashtrues, kriminelë, banda, përdhunues, drogëmenë, grabitës minierash e akcizave të duhanit, naftës e pijeve, që u dhe tendera deri dhe për kurimin e popullatës. U rrethove nga këta për të bërë shtet! Cfarë la pa bërë injoranti Zog me pistoletë në brez, idioti Hoxha me luftën e klasave e dallkauku Berisha me urrejtje në zemër, e kompensove ti dhjetë fish!

I je futur Shqipërisë në themele si urith dhe vetëm e gërryen. Lëshon tërmete përditë. Je kthyer në rregjisor filmash horror për ne shqipëtarët. Veç varfëri, vrasje, perdhunim, drogë, shkolla që bien brenda, policë që s’guxojnë t’i afrohen gangstereve, mjekë e farmacistë që të vdesin, njerëz ordinerë që vishen me pushtet, horra që të pushtojnë shtëpinë, të përdhunojnë e të vrasin familjen dhe shteti bën sehir.

Marrëzia nuk ka limit. Më e dhunshme bëhet situata, më shumë fërkon barkun ti.

Nga mosreagimi jonë, fiton kohë e siguri. Vrave e preve cdo shpresë në Partinë Socialiste. Shtype, njollose dhe eleminove këdo që kishte personalitet e grintë politike. U rrethove vetëm nga kriminelë e memecë politikë sepse vetëm me ta ke besim ta ndash pushtetin. Kënaqesh për cdo eksod masiv shqiptarësh, pasi në çdo shqiptar që ikën, shikon një armik. Kjo të bën të ndjehesh më i fortë, më i sigurtë. Ti pa pushtetin ndjehesh xhuxh dhe tërë zhvillimi e aveniri i Shqipërisë duhet të sillet rreth kësaj. Dhe ti e beson këtë. E si mund të jetë robi më i keq se kaq?/ Tpz.al