"Rikthim në kohën e etërve xhelat të fjalës së lirë". Kështu e ka konsideruar ish-kryeministri Berisha, paketën antishpifje të njoftuar një ditë më parë nga kreu i qeverisë. Në një postim në "Facebook", Berisha ka publikuar edhe foton ku shkruhet se ai në qeveri ndaloi me urdhër padinë për shpifje ndaj çdo gazetari nga ministrat dhe deputetët e tij, ndërsa sot, pasardhësi i tij, Edi Rama, urdhëron ministrat e deputetët që të padisin për shpifje çdo gazetë, gazetar, portal dhe individ.

Një ditë më parë kryeministri Rama, njoftoi paktën antishpifje ndërsa tha se çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. "Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë", shkruante Rama.