Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte mbrëmjen e djeshme për ngushëllime në familjet e tre personave, dy punonjës të bashkisë së Matit dhe njëri banor i zonës, të cilët u ekzekutuan me armë zjarri nga Kujtim Koxha dy ditë më parë.
Gjithashtu Basha vizitoi edhe të plagosurin që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa në një prononcim për mediat i pyetur nëse duhet të rikthehet dënimi me vdekje pas ngjarjeve të fundit, lideri i PD-së u përgjigj se është i gatshëm që ta shtrojë këtë pyetje në referendum kur Partia Demokratike të vijë në pushtet.
"Kjo është një çështje që u takon qytetarëve shqiptarë, unë personalisht jam i gatshëm që këtë pyetje t’ia shtroj popullit shqiptar qoftë edhe si referendum në momentin që PD do marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin", u shpreh Basha
Por a mundet që Shqipëria të rikthejë dënimin me vdekje? Pak kohë më parë, Romana Vlahutin, ish-ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë u shpreh se BE nuk e pranon një gjë të tillë. ‘Dënimi me vdekje nuk pranohet nga BE’ tha ajo më 4 maj 2018.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje në vitin 1992, ndërsa rasti i fundit u shënua në qytetin e Fierit, ku u varën dy persona në mes të sheshit, të akuzuar për masakrën e Libofshës. Vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko u varën, pasi u shpallën fajtorë për atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.





