Lorik Cana është padyshim një nga legjendat që do të mbahet mend gjatë në Shqipëri. Kapiteni legjendar i Kombëtares shqipttare të futbollit, ka thënë së fundmi se do të lançojë një film që do të bazohet te jeta dhe karriera e tij.
Ditën e djeshme Cana ka qenë i ftuar në emisioni “Rudina” ku ka zbuluar disa të fshehta në lidhje me këtë film dhe disa momente të veçanta nga jeta e tij.
"Është hera e parë që unë flas për këtë dokumentar. Në fakt nuk ka qenë iniciativa ime. Ka qenë gazetari sportiv Andi Deçka ai i cili ka filluar gazetarinë kur unë kam nisur karrierën në Francë. Pasi unë përfundova karrierën ai erdhi dhe më tha se kishte dëshirë të realizonim një film dokumetar. Ai është munduar të bëjë diçka të mirë, ka shkuar në vendet ku kam luajtur dhe ka folur me njërëz. Ka dalë diçka shumë e mirë dhe kemi menduar ta shfaqim nga fundi i Dhjetorit. Shpresojmë që gjatë mbrëmjes për shfaqjen e parë të dokumentarit ku do të ketë shumë të ftuar të ngrejmë fonde për Fondacionin e bamirësisë. Këtë trailer të shkurtër ne nuk e kemi shfaqur, e kanë parë vetëm njerëz me të cilët është dashur të punojmë. Besoj është një mundësi e mirë ta shfaqim një fragment sot", tha Cana.
Cana në emisionin "Rudina" zbuloi dhe disa momente nga njohja e tij me bashkëshorten Monika.
"Unë kam qenë 7 vjeç kur kam lënë Kosovën dhe kam shkuar gjithandej, kurse Monika italiane, e cila ka jetuar gjithmonë në të njëjtin qytet. Dhe kam qenë unë ai që e kam ndikuar më shumë për të qenë shqiptare se sa ajo mua. Patjetër që ka qenë diçka që është bërë në mënyrë shumë natyrale. Është një person që ka ndryshuar perispektivën e jetës. Ajo ndihet shumë mirë në Shqipëri dhe kupton shumë mirë shqip. Tirana ndonjëherë nuk të mundëson të mësosh shqip sepse ajo kur është në vështirësi flet italisht dhe të gjithë kuptojnë. Jemi mirë dhe besoj djali është diçka që ka pasuruar familjen tonë. Djalit i flas gjithë kohën shqip.
Ne kemi 7 vite bashkë dhe kemi 4 vite martesë bashkë me Monikën. Ne dasmën që kemi bërë në Kosovë kishim ftuar 500 veta dhe erdhën 650, ku më shumë se 150 nuk i njihja fare. Në Kosovë njerëz të Monikës kanë qenë vetëm prindërit. Por tradita te ne është që prindërit ftojnë njerëz. Dasmën në Romë e kemi patur shumë intime, kanë qenë 50 vetë.
Më pas në jetën tonë erdhi Bojken. Unë kam patur dëshirë të kem fëmijë edhe më herët, por ndoshta nuk do ta kisha shijuar kaq shumë. Tani kam patur mundësi që jetën time ta mbush me djalin, kam kaluar shumë kohë me të. Tani kur me duhet të iki për punë më merr malli shumë për të. Bojken sapo ka mbushur 3 vjeç, jemi shpërngulur në Tiranë dhe ai ka filluar kopshtin këtu. Fëmijët janë bekim i jashtëzakonshëm dhe ne nuk kemi dëshirë ta lemë me një. Por akoma nuk i kemi hyrë punës. Vitin tjetër ai bën 4 vjeç dhe do fillojmë të mendojmë diçka", tregoi Cana.
Ndërsa për momentin e parë kur janë njohur me Monikën, Cana tha:
"Kemi qenë në ambientet e një restoranti kur jemi parë për herë të parë. Para se të largohesha nga restoranti, pa i folur fare i dhashë numrin tim të telefonit kamarieres dhe ajo ia çoi. Dy ditë më vonë ajo më shkruajti dhe u takuam dhe filluam të njihemi dhe të frekuentohemi", tha Cana. /TvKlan/





