Tvklan.al ka mundur të mësojë debatin që Kujtim Koxha, autori i masakrës në Mat, ka bërë me punonjësit e Bashkisë para se t’i vriste. Sipas informacioneve, bëhet me dije se shkak është bërë shtrimi i rrugës në fshatin Shëlli. Burime policore sqarojnë se autori u ka kërkuar punonjësve të Bashkisë që po merreshin me ndërtimin e rrugës, që ta shtronin deri te shtëpia e tij, që ndodhet disa metra më tej.

Mirëpo, punonjësit e kundërshtuan duke i thënë se planin e rrugës e kishin të përcaktuar dhe nuk mund të vepronin ndryshe. Më pas, mes tyre nisën ofendimet e ndërsjellta dhe konflikti fizik mes Kujtim Koxhës dhe punonjësve të Bashkisë.

Në këtë kohë është çuar nga tavolina Erzen Aliaj ku kanë dalë jashtë lokalit dhe ka debatuar me Kujtim Koxhan, dhe e ka goditur me shuplakë në fytyrë. Në këtë kohë janë ngritur punonjësit e tjerë për t’i ndarë, pasi Kujtim Hoxha ishte në gjendje te dehur.

Pas konfliktit, autori shkoi në shtëpi dhe mori kallashnikovin për të qëlluar me breshëri ndaj punonjësve të Bashkisë. Ata ndodheshin tek lokali i fshatit duke ngrënë drekë, së bashku edhe me banorë të tjerë.

Nga breshëria e armës u vranë punonjësit e Bashkisë Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buci. I plagosur mbeti Astrit Hani, i cili ndodhet në spitalin e Burrelit. Konflikti mes autorit dhe viktimave ndodhi rreth 2 orë para se të ndodhte masakra.

Kujtim Koxha u arrestua pak orë pas krimit të rëndë. Ai u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje, ndërsa momentet e para ai ka qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë që në banesën e autorit ka pasur prezencë të shtuar të forcave të policisë për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Në vendngjarje, policia sekuestroi armën e krimit automatik model 56 dhe 11 gëzhoja, si dhe një krehër me 18 fishekë.