John Terry është favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Aston Villas, në Championshipin anglez. Legjenda e Chelsea pritet të kthehet në klubin e fundit me të cilin luajti në karrierën e tij, por aktualisht po has konkurrencën e teknikut të Celtic, Brendan Rodgers dhe ish-asistentit të Jose Mourinhos, Rui Faria.
Megjithatë, ish-kapiteni i Anglisë ka mbështetjen e futbollistëve të skuadrës, të cilët e respektojnë shumë ish-shokun e ekipit, pas 36 ndeshjeve me ta sezonin e kaluar.Pak ditë më parë Terry njoftoi tërheqjen nga futbolli e për momentin është duke stërvitur ekipin e 19-vjeçarëve të Chelsea-t.
Ish-mbrojtësi i “bluve” të Londrës ka një marrëdhënie të shkëlqyer edhe me ish-trajnerin e skuadrës, Steve Bruce, nga i cili mund të marrë edhe “bekimin” për këtë përvojë të re.Një tjetër kandidat për këtë pozicion flitej të ishte një tjetër legjendë, Thierry Henry, aktualisht zv.trajner i Belgjikës.
Por francezi ka hezituar, duke qenë më i prirur për të marrë drejtimin e klubit ku ka nisur karrierën si lojtar, Monaco, që renditet e 18-a në kampionatin francez.





