Teuta arriti të bënte një autokritikë në ndeshjen ndaj Kastriotit, ku i vetmi rezultat që duhej ishte fitorja dhe arritën ta merrnin. Mënyra se si erdhi ajo fitore ndoshta nuk lë shumë për të kënaqur, por fundja “mbreti” i futbollit janë pikët dhe ato ishin të nevojshme në kampin durrsak.

Shumë ndryshime në formacion u panë në ndeshjen ndaj krutanëve, duke u dhënë mundësi futbollistëve të rinj si Vila dhe Shkalla, por me sulmin që nuk ndryshon dhe është pikërisht Latif “heroi” në këto tetë javë të para të kampionatit, që ka realizuar pesë nga gjashtë golat e bregdetarëve.

Dy javë pushim do të jetë një kohë e mjaftueshme për të korrigjuar gabimet e kryera në javët e para e sidomos ajo ndeshje ndaj Partizanit që ende “dhemb” te djemtë e detit. Hakaj dhe Kallaku do të jenë pjesë e kombëtares U-21 dhe për këtë arsye nuk do të jenë nën urdhrat e stafit teknik. Osmani do ketë kohën e duhur për rikuperim pas një dëmtimi të lehtë të pësuar javën që lamë pas.

Skuadra ka dhe një ndeshje për të luajtur që të kompletojë fazën e parë të sezonit, atë me Laçin, një rival i drejtpërdrejtë në luftën për kupat e Europës, përgatitjet për të cilën nisin të mërkurën. Që Teuta duhej të kishte dhe disa pikë të tjera në renditje këtë nuk e mohojnë në ambientin e durrsakëve, por gjithsesi e kaluara është e kaluar. Tani skuadra duhet të përgatitet për të marrë maksimumin në javët e ardhshme.

Një vit më parë, pikërisht në javën e tetë, skuadra numëronte vetëm 7 pikë dhe me një golavarazh 10-16 dhe pa dyshim që ky vit është më mirë në dy aspekte, atë të pikëve dhe ka rregulluar mbrojtjen, ndërsa çalon disi në sulm me vetëm 6 gola.