Entela Prifti, kryetare e Gjykatës së Korçës, është shkarkuar nga detyra pasi nuk kaloi Vetting-un.
Entela Prifti u vlerësua vetëm për njërin nga komponentët, atë të pasurisë, që rezultoi e fshehur dhe e pajustifikuar.
Entela Prifti njihet si një nga anëtaret e Kolegjit Zgjedhor që pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011, i dha fitoren për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Bashës gjatë përballjes Rama-Basha.
Sipas raportit të ILDKPI të lexuar në seancë, rezultoi se gjyqtarja Prifti ka bërë deklarim të rremë.
KPK deklaroi se pas këtyre indicieve janë zhvilluar hetime të thelluara dhe rezultoi se gjyqtarja ka burime financiare të paligjshme.
Po kështu u tha se Prifti ka apartament 55 m² në Korçë një pasuri e bashkëshortit dhe nuk është deklaruar bashkë-pronësia. Sipas KPK-së, ka mungesë të dokumentacionit ligjor justifikues.
Ndërkaq rezulton se gjyqtarja ka të ardhura nga shitja e makinave. KPK deklaroi se Prifti i shet disa herë më shtrenjtë makinat se sa çmimi i blerjes dhe çmimet nuk reflektojnë me tregun.
Një tjetër problematikë sipas KPK ka qenë mosdeklarimi i transfertave në llogarinë e së motrës. Ndaj KPK theksoi se gjyqtarja Prifti ka disa pasuri dhe llogari të padeklaruara.
Entela Prifti ushtron prej 10 vitesh detyrën e kryetares së Gjykatës së Apelit të Korçës, që pas emërimit të saj në vitin 2008. Më parë, ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares pranë së njëjtës gjykatë. Në vitin 2011, Entela Prifti ka qenë anëtare e Kolegjit Zgjedhor. Paralelisht me detyrën, ajo ka ushtruar gjithashtu mësimdhënie në degën e universitetit “Kristal” në Korçë për një periudhë disavjeçare.





