Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg për 45 ditë" për Geldo Hotin, personin e arrestuar në tentativë për tu arratisur në Greqi, pas ngjarjes që ndodhi në ish-Bllok ku një person u vra dhe dy të tjerë u  plagosën. 

37-vjeçari Hoti u ndalua mbrëmjen e 5 tetorit në Kakavijë në tentativën për tu larguar nga Shqipëria. Ai dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri gjatë përplasjes me armë mbrëmjen e 4 tetorit në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Burimet bënë të ditur se policia e ndaloi rreth orës 20:05 dhe më pas u shoqërua për në Tiranë, për veprimet e mëtejshme.

Lidhur me këtë ngjarje, janë arrestuar shtetasit Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, Fabjol Alushi, 42 vjeç dhe Merviol Bilo, 41 vjeç, të tre banues në Tiranë.