Teuta e mërziti pa masë trajnerin Bledi Shkëmbi në mesjavë, por sot erdhi edhe reagimi që trajneri i durrsakëve priste.“Djemtë e detit” mundën 2-0 Kastriotin, me dy gola të shënuar nga sulmuesi kryesor Latif Amadu, i pari me penallti në shtesën e pjesës së parë dhe i dyti pas një ore lojë.
Latif ka shënuar 5 gola në kampionat dhe më në fund po tregon se vlen për Teutën, pas një fillimsezoni ku gaboi raste pa fund. Në fakt, Kastrioti nuk luajti keq, sepse në pjesën e parë krijoi lojë e disa raste, por duket qartë që skuadra debutuese ka shumë probleme, si për faktin se i mungon eksperienca, ashtu edhe për arsye se nuk ka më qetësi në lojën e saj, për shkak të rezultateve të dobëta.
Pas golit të parë Teuta u çlirua dhe e pati më të lehtë, duke administruar mirë ndeshjen dhe duke marrë tre pikë të çmuara, edhe psikologjikisht, ndërsa Kastrioti është në rrugën e gabuar.





