Hidrovori i Porto Romanos i cili tërheq ujërat e qytetit të Durrësit kërkon investime serioze. Hidrovori konsiderohet i rëndësisë së veçantë pasi nëse nuk punon për pak minuta, Durrësi zhytet i gjithi nën ujë.

Stina e reshjeve sapo ka filluar, ndërkohë që qytetit të Durrësit i duhet  të përballet me një sërë problemesh që vijnë si pasojë e reshjeve dhe përmbytjeve që ato shkaktojnë. Në tërësinë e infrastrukturës për largimin e ujërave të shiut nga qyteti drejt detit, hidrovori i Porto Romanos luan një rol shumë të rëndësishëm. Ai është ndërtuar dekada më parë, kur qyteti nuk ishte ky që është sot, dhe kjo padyshim që sjell si probleme, ashtu edhe nevojën për ndërhyrje për të rritur kapacitetin e tij.

Drejtori i Ndërmarjes së Rrugëve të Bashkisë së Durrësit, Alion Hysko, ndërmarje kjo që ka në varësi edhe hidrovorin, thekson se janë në gjendje pune,  të shtata pompat ku dy prej tyre janë me kapacitetet më të madh se pesë të tjerat. Megjithatë, sipas tij, për të përballuar gjendjen që krijohet gjatë reshjeve, nevojiten investime shtesë, të cilat janë programuar në buxhetin e vitit të ardhshëm të Bashkisë së Durrësit.

Krahas hidrovorit, shkak tjetër i përmbytjeve që krijohet në Durrës përgjatë reshjeve janë edhe kanalet kulluese të ujërave të larta, që shpesh janë edhe të bllokuara në segmente të caktuara të tyre. Gjasat janë që, edhe këtë vit, në pritje të stinës së dimrit, derisa kushtet e hidrovorit dhe të kanaleve kulluese të përmirësohen, uji në rrugë dhe përmbytjet të jenë përsëri të pranishme.

K.H.