Të rinjtë, jo vetëm në Durrës, janë indiferentë në lidhje me procesin e votimit. Angazhimi i të rinjve në proceset vendimmarrëse ishte objekt i seminarit të qendrës për trashëgimi dhe edukim, në kuadër të projektit “Lëviz për të votuar”, me gazetarë të qarkut të Durrësit, por edhe përfaqësues vendorë. Përgjatë këtij seminari u diskutua gjerësisht rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve dhe të rejave në zgjedhjet lokale dhe jo vetëm.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, Bedrie Koltraka, e cila është edhe koordinatorja e qarkut në projektin “Lëviz për të votuar” theksoi se pjesëmarrja në zgjedhje dhe vota e të rinjve, ka rëndësi të madhe për vendin dhe për vetë të rinjtë.

Por gjithashtu e rëndësishme është që t’u japim mundësi të rinjve të paraqesin problemet dhe kërkesat që kanë dhe t’i adresojnë ato drejt të zgjedhurve vendorë aktualë dhe atyre të ardhshëm. 

Për nenkryetarin e bashkisë, Florian Tahiri, projektet për përfshirjen e të rinjve kanë qënë të pakta.

Përgjatë këtyre takimeve që do të mbahen në vazhdimësi, sipas përfaqësuesve të këtij projekti, do të evidentohen problemet kryesore që do të ngrihen nga vetë të rinjtë për të kërkuar zgjidhje nga të zgjedhurit vendorë. Do jenë 5 takime që do të zhvillohen në njësi të ndryshme administrative duke përfshirë këtu edhe ato rurale.

K.H.