Policia shoqëron këngëtaren e njohur Elvana Gjata. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjata u mor në pyetje në ambientet e policisë dhe ka dalë prej 20 minutash.

Dyshohet se këngëtarja shumë e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar ka qenë shkak i sherrit që solli një të vrarë dhe dy të plagosur mbrëmë në Bllok.

Këngëtarja ishte në shoqërinë e të dashurit të saj, një biznesmen i njohur kur disa persona, miq të Ervis Martinit e kanë ngacmuar duke provokuar sherrin dhe më pas palët kanë nxjerrë armët duke sjellë kasaphanën që ndodhi.

Ajo ka dhënë në polici dëshminë e saj, dhe ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.

Është një hetim i thelluar që pritet të zbardhë ngjarjen. Fillimisht policia dha identitete të ndryshme për viktimën dhe të plagosurit. Kjo pasi në makinën e viktimës është gjetur një kartë identiteti me emrin Rigers Gaxha. Por sot pas hetimit më të plotë është konfirmuar se viktima është Fabiol Gaxha, 26 vjeç truprojë e Ervis Martinit. Dyshohet se viktima është i përfshirë në trafik droge por mbetet për t’u konfirmuar. Janë duke u kryer hetime të detajuara.