Me lot në sy, Kasem Greveshi nga Xhafzotaj kërkon ndihmë. Keisi, vajza më e vogël e familjes, me një buzëqeshje të ëmbël, vuan nga një sëmundje që hyn në kategorinë e tumoreve. Vogëlushja duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje tepër të vështirë kirurgjikale, pasi në njërin sy tashmë ajo e ka humbur pothuajse 100 përqind të shikimit.

Vogëlushja 2-vjeçare është vajza e tretë, më e vogla e familjes Grebeshi, e cila jeton në Xhafzotaj të Durrësit. Dy prindërit e vogëlushes, Kasemi dhe Armela, me lot në sy herë pas here kanë apeluar për ndihmë. Babai i vajzës së vogël rrëfen se kanë qenë më herët në Itali, ku edhe kanë bërë të gjitha vizitat, duke shpenzuar të gjitha të ardhurat e tyre, ndërsa janë ndihmuar edhe përmes borxheve nga të afërmit.

Përmes DurrësLajm, Kasemi kërkon ndihmën e institucioneve shtetërore dhe të gjithkujt tjetër që ka mundësi për të shpëtuar shikimin dhe jetën e vajzës së tij.

Familja Grebeshi i ka kërkuar ndihmë të gjitha institucioneve, mes tyre edhe Ministrisë së Shëndetësisë, pa mundur të marrin asnjë lloj përgjigje. Jeta ka nisur e vështirë për vogëlushen Kejsi, e ardhmja e së cilës varet tashmë nga bujaria dhe dhembshuria e njerëzve me zemër.

K.H.