Këtë të enjte ka çelur siparin përmes një ceremonie inauguruese shkolla e drejtorëve, një risi e sistemit arsimor në Shqipëri. Në ceremoni ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se baza e dijes është shkolla dhe se 5 vite më parë sistemi ishte i korruptuar dhe i kalbur dhe u transformua nga kjo qeveri.
“Mësimdhënia është profesioni që krijon çdo profesion tjetër. Vendet nuk dallohen nga njeri-tjetri në shkallën e zhvillimit. E bëj shpesh krahasimin mes Shqipërisë dhe Izraelit. Izraeli nuk ka ujë, Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në rajon për burime. Mirëpo Izraeli ka sistemin me ekselent të vaditjes. Mirëpo Shqipëria ujin e pati për vite me radhë problemin më të madh. Dhe përgjigjja qëndron te dija. Baza e dijes është shkolla.
Pavarësisht të gjitha atyre që mund të thuhen sot. Duan s’duan ata që nuk duan të shohin. Transformimi në sistemin tonë arsimor ka nisur nga rrënjët dhe po shtrihet në të gjithë hapësirën e funksionimit të këtij sistemi. Pa diskutim që ka në çdo aspekt diçka për të ndryshuar ende. Ka boshllëqe, të meta dhe pasoja të së shkuarës që janë aktive por pa diskutim nuk ka të krahasuar sot shkolla me atë që ishte pesë vite me parë dhe këtu filloi nga sistemi i rekrutimit të mësuesve, një sistem tërësisht i korruptuar dhe i kalbur me pasoja dramatike në mësimdhënien që është transformuar në një sistem transparent. Çka ka sjellë që mos të jetë i lidhur me politikën, të mos jetë një proces që zhvillohet në interes të partive, në funksion të kushërinjve apo nën diktatin e pushtetit por të jetë i bazuar te dija”, tha Rama.





