Artur Mahmutaj, ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave në Durrës është dënuar me 6 vite burgim nga Gjykata e Genova-s në Itali, si pjesë e një grupi që trafikoi 75 kg kokainë. Bashkë me Mahmutajn është dënuar edhe shqiptari tjetër Nik Dauti me 12 vjet burgim.

Këtë të martë, Gjykata e Xhenoves ka dënuar me më shumë se 50 vite burgim në total 5 persona, të akuzuar se kanë organizuar trafikun e sasisë së drogës që u kap në portin e qytetit italian në nëntor 2017, njoftojnë mediet lokale.

Drogës ishte imbarkuar në “Caroline Star”, mjet transporti detar kontenierësh i së njëjtës kompani që është zbuluar se ka transportuar kokainë dhe në dy raste të tjera kohët e fundit. Përkatësisht në Livorno të Italisë disa javë më parë, rast në të cilin u sekuestruan 200 kilogramë që vinte nga Kili, si më shumë se 400 kg në Marsejelë të Francës, së fundmi, raportojnë mediat italiane.

Dënimet:

– Massimo Rocca, ish-zyrtar i portit të Genova-s dhe ortak në shoqërinë që administron portin (12 vjet burg);

– Roberto Piano, ish-punonjës i terminalit Spinelli të portit (9 vite dhe 8 muaj burg);

– Nik Dauti (12 vite burg);

– Artur Mahmutaj (6 vite burg);

– Carmelo Rao (9 vjet dhe 4 muaj burg).

Droga, sipas hetuesve, ishte e destinuar për tregun në Francë dhe në Italinë veriore dhe është vlerësuar se do të gjeronte rreth 3 milionë euro. Sipas hetuesve, dy shqiptarët ishin në krye të bandës, Rao ishte një lloj “bashkëpunëtori”, ndërsa Rocca dhe Piano, kishin detyrën vendimtare që të garantonin kalimin e drogës nga porti i Genova-s. Droga vinte nga Amerika Latine.

Arrestimi nga policia e Durrësit

Artur Mahmutaj u arrestuar në janar 2016 nga Policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim, pas një aksioni që zbuloi një laborator modern droge në një magazinë, në vjeshtën e vitit 2015. Ai është mbajtur në paraburgim për 3 muaj.

Por, 38-vjeçari është liruar sipas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, pasi siç vlerësonte gjykata, ai nuk ishte person me rrezikshmëri. 

Artur Mahmutaj ishte emëruar në funksionin e nëndrejtorit që menaxhonte drejtorinë e lëvizjeve të mallrave në Hekurudha, dhe vinte nga rradhët e LSI.