Ermali është një vogëlush i klasës së pestë, i cili ndjek shkollën “Hamza Muça” në fshatin Shkallnur të Durrësit. Fshati është jo më shumë se 10 km larg nga qendra e qytetit, por 11-vjeçari për herë të parë erdhi në qytet.

Shkak që erdhi në qytet u bë një aktivitet kulturor me rastin e ditës së trashëgimisë kulturore që u organizua nga shkolla ku ai studion. Vogëlushi ishte mjaft i hutuar, sepse më herët kishte qenë vetëm në periferinë e Tiranës, ku banojnë familjarët e nënës së tij dhe ku ai kalon pushimet.

Familja e tij ka ardhur nga Hasi dhe është vendosur në fshatin Shkallnur, i cili gjendet në pjesën e unazës së plazhit. Që nga lindja e tij, vogëlushi për herë të parë zbriti në qytetin e Durrësit me shokët e klasës së tij dhe mësuesit.

Shkolla organizoi me klasat e pesta dhe të teta për herë të parë një aktivitet, i cili në thelb kishte promovimin e trashëgimisë kultuore, me ekspozimin e veshjeve popullore, të këngëve e valleve etj.

Pothuajse të gjithë fëmijët e kishin për herë të parë vizitën në një objekt arkeologjik. Ata qëndruan në termat romake që ndodhen në themelet e pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”.  

Drejtoresha e shkollës, Fatmira Mulliqi, tregoi për programin artistik të organizuar me qëllim që edhe fëmijët e kësaj shkolle të njihen me trashëgiminë kultuore që ka Durrësi, i cili pak ditë më parë festoi 3015-vjetorin e krijimit të tij. 

Fëmijë të kësaj shkolle, pavarësisht se gjeografikisht janë shumë pranë qytetit, vetëm 10 minuta larg, e kanë patur të pamundur të vizitojnë Durrësin, i cili vizitohet nga qindra mijëra turistë që vijnë nga e gjthë bota.

K.H.