Dy shqiptarë janë arrestuar në flagrancë nga policia italiane ndërsa është sekuestruar rreth 190 kg marijuanë në vlerë 1 milionë e gjysëm euro.

Në pranga kanë rënë shtetasi me iniciale A.A 28 vjeç e C.J 28 vjeç, pas një kontrolli territorial, i cili ka identifikuar një furgon mallrash të qarkullonte në një zonë periferike e të izoluar të komunës Marina Marza ad Ispica.

Pas një ndjekje prej 30 minutash furgoni ka hyrë në një banesë private, fakt që ka shtyrë policinë italiane të ekzekutojë një kontroll banese.

Në banesë janë gjetur 45 pako me marijuanë me peshë totale prej 188 kg. Vlera e drogës sipas autoriteteve italiane përllogaritet të jetë rreth 1 milionë e gjysëm euro. Dy shqiptarëve u janë sekuestruar dhe 3000 euro cash.

Pas analizës së furgonit, ekspertët italianë kanë verifikuar një modifikim të tij në pjesën e dyshemesë i përdorur për transportimin e lëndës narkotike.