Sot pritet të jepet pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij të akuzuar për disa vepra të rënda penale. Seanca është parashikuar të zhvillohet në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa prokurorë të çështjes janë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani.
Dosja "Shullazi" futi në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.
Kjo situatë solli edhe penalizimin për prokurorët refuzues ndaj të cilëve, për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, ka nisur një hetim disiplinor, ndërsa Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela u transferuan në rrethe.
Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.





