Rastet e zjarreve të shtuara në këtë fund shtatori kanë detyruar policinë të rrisë gatishmërinë në qarkun e Durrësit. Shefi i rendit në policinë e Durrësit, Bajram Mara, kërkoi mbështetjen e popullatës në shuarjen e zjarreve.
Tre raste zjarresh me tre te ndaluar janë shënuar këto ditë në Krujë, Shijak e Durrës. Në tre raste, këto zjarre kanë qenë me pasoja, si në Sukth janë djegur dy kavaleta bari dhe janë rrezikuar disa shtëpi, në fshatin Murqinë, Bashkia Krujë, është dëmtuar linja hekurudhore dhe në Njësinë Adminstrative Gjepalaj, janë djegur një siperfaqe e mbjellë me ullinj.
Në terren janë angazhuar për parandalimin e zjarrvënies si dhe për evidentimin e autorëve edhe agjentët e Policisë Kriminale.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve për të parandaluar zjarrvënien dhe fton ata të denoncojnë në kohë në numrin 129 dhe 112 çdo rast sado të vogël të shkaktimit të zjarrit në toka buqësore, kullota apo pyje.
K.H.





