Partia Demokratika në Durrës ka nisur nga puna për zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ngritja e strukturave dhe angazhimi i të rinjve është synimi kryesor i demokrateve durrsak.

Drejtuesit e djathtë të Durrësit zhvilluan një takim me Forumin Rinor të Partisë Demokratike-Dega Durrës, të organizuar nga këta të fundit me fokus “situata në vend” dhe “detyrat e gjithësecilit në vazhdim”.

"Nuk kemi pse tulatemi," tha kryetari i PD dega Durrës, Ferdinand Xhaferri, "ne jemi forca që liberalizuam vizat dhe futëm Shqipërinë në NATO. Nuk krahasohemi me këta, këta kanabizuan Shqipërinë ne denoncuam, e shumë e shumë të tjera. Pra, të bëhemi bashkë dhe të punojmë fort për të fituar zgjedhjet e ardhshme, me qëllim për ti hapur rrugën fitores së madhe të Partisë Demokratike dhe për ta risjellë në pushtet."

Kryetari i Grupit të Punës për Durrësin, deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi angazhim maksimal të të rinjve dhe organizim sa më të mirë në fushatën e zgjedhjeve të ardheshme.

I pranishëm në takimin me Forumin Rinor të Partisë Demokratike dega Durrës ishte edhe kryetari i  FRPD, Belind Këlliçi, i cili kërkoi reagim dhe entuziazëm në radhët e të rinjve durrsak, duke u kujtuar se PS-ja në pushtet po detyron të rinjtë të emigrojnë pasi nuk kanë asnjë shpresë.

Të rinjtë diskutuan për problemet e shumta në vend, sidomos për ato me të cilat përballet sot rinia shqiptare, si dhe dhanë mendime në lidhje me zgjidhjen e tyre.