Në konferencën për shtyp nga qyteti i Korçës kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve për rastin e 25-vjeçares Xhisiela Maloku. Ai ishte i qartë në qëndrimin e tij duke thënë se është krah vajzës së dhunuar dhe inkurajoi drejtësinë që të zbardhë të vërtetën deri në fund.

“Qëndrimi im është ai që ka qenë gjithmonë, për mua askush nuk është mbi ligjin. Për PS askush nuk është e s’mund të jetë mbi ligjin dhe ne këtë qëndrim e kemi jo vetëm me fjalë, por e kemi materializuar sa herë jemi ballafaquar me faktet, ndryshe nga të tjerët. Së pari, jetojmë në një kohë dhe mjedis ku kjo kohë e mbrapshtë e gënjeshtrës dhe shpifjes së kthyer në terror informativ për qytetarin, mishërohet tek partia kryesore e opozitës si zëdhënësja kryesore e kësaj kohe. Që do të thotë që unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur akuzave aluçinante, të pabazuar pa asnjë fakt që bëhen për mua dhe kolegët. Nga ana tjetër përsa i përket vajzës mund të them se së pari Policia ka bërë detyrën në përputhje me ligjin dhe djali i deputetit nuk ka pasur asnjë trajtim preferencial. Për një shkelje të procedurës një oficer policie është pezulluar menjëherë nga puna dhe policia ka kryer të gjithë detyrim e vet dhe e ka përcjellë çështjen në prokurori”

Për Kryeministrin, vajza e dhunuar meriton vetëm drejtësi.

“Së dyti vajza e dhunuar meriton vetëm një gjë: Drejtësi. Dhe unë inkurajoj dhe mbështes fuqishëm organet e drejtësisë që ta çojnë çështjen deri në fund. Së treti abuzimi publik me vajzën dhe transformimi i dhunës së saj në një luftë politike është ridhunim për së dyti i saj, si nga politika ashtu edhe nga mediat. Dhe së fundi unë dua t’i siguroj të gjithë se çka ka të bëjë me të drejtën dhe të drejtësisë është e panegociueshme”.

Sa i përket deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe implikimit të tij të mundshëm në këtë çështje, Rama ishte i prerë kur tha se: Deputeti duhet të hetohet njësoj si gjithë të tjerët nëse ka apo nuk ka implikim në këtë proces të drejtpërdrejtë.

“Për mua çështja është shumë e qartë vajza meriton drejtësi dhe të gjithë duhet të japin kontributin e tyre në këtë çështje, duke ia kursyer ridhunimin për qëllime politike a mediatike. Por drejtësinë nuk e bëj unë apo media, PD jo e jo. Drejtësinë e bën Drejtësia. Ne jemi krah vajzës pa asnjë ekuivok dhe përpara ligjit nuk është asnjë deputet. Nëse nga hetimi, do të ketë një provë të përfshirjes së të deputetit, atëherë hajde më pyesni mua çfarë qëndrimi kam unë”.

Sa i përket ish-oficerit Nuhu, Rama e konsideroi atë një horr të kthyer në hero, i cili braktisi detyrën dhe e përdori rastin për të fituar azil. "Nuk do t’i ndahemi atij horri", tha kreu i qeverisë.