Kokrrat “Goji” janë përdorur mbi 2 mijë vjet nga mjekësia tradicionale kineze. Sot është provuar se ato ndihmojnë trupin e njeriut në shumë mënyra të ndryshme. Studimet kanë treguar se këto kokrra janë një burim i shkëlqyer i polisaharideve, të cilat janë të nevojshme për mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e sistemit imunitar. Thuhet se ato janë superushqimi më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm në treg, për vetë numrin e lartë të të mirave që sjellin në trupin e njeriut.
Për manin e kuq kinez “goji” janë kryer shumë studime të tjera, të cilat kanë treguar se ai përmban shumë antioksidantë dhe mund të frenojnë rritjen e qelizave kancerogjene, të reduktojë nivelin e sheqerit në gjak, dhe uljen e nivelit të kolesterolit. Në mjekësinë tradicionale kineze, kokrrat “goji” përdoren në mënyra të ndryshme, bëhen çaj, hidhen në supë, ose mund të konsumohen si frut.
Prej tre vitesh, Alban Çakalli nga fshati Shpërdhet i Mamurrasit ka nisur kultivimin e kësaj bime të quajtur “Goji berry”.
Pasi u njoh me këtë bimë dhe cilësitë e saj, në emigrim kryesisht në Itali, së bashku me vëllain e tij Albert, ata vendosën që ta sjellin këtë bimë edhe në Shqipëri.
Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku Alban Çakalli tregoi përfitimet shëndetësore të manit kinez.
“Mani i kuq kinez përdoret në mjekësinë tradicionale për ruajtjen dhe sigurimin e ekuilibrit dhe harmonisë në trup. Këto kokrra ndihmojnë trupin të përshtatet më mirë me stresin dhe ndryshimet.
Disa nga përfitimet që marrim nga këto kokrra janë; përmirësimi i përceptimit mendor dhe kthjelltësia, rritje të energjisë dhe përmirësim në sistemin imunitar”, tha Alban Çakalli. /tvklan