Në qarkun e Durrësit, fillimi i këtij viti të ri shkollor solli edhe bashkimin e disa shkollave me qëllim eliminimin e fenomenit të klasave kolektive, fenomen ky i pranishëm veçanërisht në zonat rurale, ku numri i fëmijëve është i vogël dhe nxënësit e klasave të ndryshme bëjnë mësim së bashku.
Në Durrës, ky fenomen ka qenë kryesisht i pranishëm në zonën e Ishmit, duke bërë që shkollat e disa fshatrave të bashkohen, për të krijuar klasat e nevojshme me nxënës të të njëjtit nivel.
Drejtoresha e DAR Durrës, Lindita Muka jep detaje pët shkollat që janë bashkuar si rrjedhojë e nismës së Ministrisë së Arsimit për eliminimin e fenomenit të klasave kolektike.
Dje, në gjithë Qarkun e Durrësit, më shumë se 39 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm filluan vitin e ri shkollor. Pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale mësohet se dita e parë e shkollës ka kaluar pa asnjë problem, dhe të gjitha shkollat e parashikuara për të hapur dyert kanë qenë gati për pritjen e nxënësve.
Ndërkohë, sa i përket fëmijëve që janë prekur nga vendimi për bashkimin e disa shkollave, në zonat rurale, në ndihmë të tyre është garantuar transporti i nevojshëm me qëllim që të mos pengohet frekuentimi i procesit mësimor.
K.H.





