Portin e Durrësit e vizitoi sot një mision i zgjeruar i PNUD dhe konsulencës kroate ATRAC, në vijim të zbatimit të projektit për parandalimin e ndotjes detare, financuar nga Qeveria e Kroacisë.
Ceremonia e çeljes dhe e prezantimit të këtij projekti u zhvillua dy muaj më parë në ambientet e portit të Durrësit, në prani të Presidentes së Kroacisë, znj. Kolinda Grabar Kitaroviç.
Misioni fakt-mbledhës që u prit nga Blerina Hasani, drejtore e Drejtorisë së Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së Shëndetit dhe Emergjencave dhe një grup specialistësh portualë, trajtoi disa nga shqetësimet e konstatuara edhe në porte të tjerë të rajonit.
Violeta Zuna, koordinatore e projektit për PNUD dhe z.Vedran Martiniç, drejtor i ATRAC, u interesuan veçanërisht për mënyrën sesi funksionon monitorimi mjedisor, për parandalimin e ndotjeve detare, si dhe problematikat e vërejtura në portin më të madh të vendit tonë.
Organizata PNUD, ATRAC bashkë me portin e Durrësit do të monitorojë edhe portet e tjera të vendit si dhe disa nga pikat e nxehta që paraqesin dhe mbartin edhe riskun kryesor të ndotjes detare.
Projekti synon trajtimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e ndotjes detare, vlerësimin e rriskut, planin e kontigjencës dhe sistemet e reagimit dhe emergjencës.
Porti i Durrësit nisi të ndryshojë mënyrën dhe konceptin e drejtimit 15 vjet më parë, në vitin 2003, kur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi propozimin e Këshillit të Ministrave për Autoritetin Portual.