Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm forcat speciale, FNSH, RENEA, shoqëruar nga mjete të blinduara, kanë rrethuar fshatin Nikël të Krujës duke kryer kontrolle të befasishme në banesat e një grupi personash të cilët janë njohur si grupi i Niklës.
Mes banesave të rrethuara dhe kontrolluara janë ato të fisit të njohur Haka në këtë zonë. Vilat e Flamur Hakës i njohur me nofkën Tuku, Marenglen Hakës, Durim dhe Valter Bamit, Ylli Cangut etj. Janë mbi 20 mjete të forcave speciale në aksion, autoblinda dhe furgona të FNSH dhe RENEA. Në pikat kyçe janë vendosur snajpera për të parandaluar ndonjë rezistencë me armë nga personat që po kontrollohen.
Aksioni është në vazhdim e sipër, dhe nuk dihet ende nëse kanë sekuestruar armë, mjete të blinduara dhe sa persona janë ndaluar.
Nikla njihet për disa ngjarje të bujshme, mes të cilave edhe rrëmbimi i Enver Stafukës, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt.
Disa ditë më parë, forcat e policisë ishin në një aksion në Shkodër ku u ndaluan disa persona dhe më pas nga gjykata u lanë me 30 ditë arrest me burg dhe arrest shtëpie.





