Nga Artur Zheji
Në të vërtetë, “mosndezja opozitare” apo “baruti i lagur opozitar”, nuk është një dukuri krejt e shpegueshme me flegmatizmin e habitshëm të Lulzim Bashës, përçarjen e PD-së, apo largimin nga vija e parë e politikës e Sali Berishës.
Nëse dëgjohen me vëmendje akuzat Opozitare, përbashkësisht PD-LSI, kryeministri i sotëm dhe qeveria e drejtuar nga ai, akuzohen për narko-shtet, për vendosjen e një rregjimi, për triumfin e Oligarkëve, për rolin specifik të bandave kriminale pranë kryeministrit, për kapjen e Drejtësisë nga kryeministri, për afera korruptive të parrëfyera dhe të pandodhura ndonjëherë në këto përmasa… dhe pra një listë shumë e gjatë, bëmash dhe gjëmash që burojnë dhe shpërndahen si një helm kapilar, në çdo qelizë të jetës shqiptare.
Këto akuza, përmbajnë në vetëvete, dhjetëra shkelje kushtetuese të përmasave shume të rënda dhe, nëse akuzat janë të vërteta, përfshirë këtu edhe blerjen masive të Zgjedhjeve të Qershorit 2017, atëhere, antikushtetueshmëria e kryeministrit të sotëm, është flagrante dhe e patolerueshme.
Presidenti i sotëm, Ilir Meta, i cili edhe pas zgjedhjes President, udhëhoqi fuqishëm fushatën zgjedhore opozitare të Lsi, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore, si President i zgjedhur, por jo një President në detyrë, është prej 1 viti, President i Republikës së Shqipërisë, dhe Garant i Kushtetutës së Republikës.
Në fjalorin politik ndërkombëtar, Presidenti, në një Republikë parlamentare si kjo e jona, mbiquhet edhe “Noter i Kushtetutës”, garanti kryesor i saj, përcaktuesi i Vijës së Kuqe dhe mbrojtësi kryesor institucional i saj, nëse ajo shkelet, nëpërkëmbet apo tjetërsohet, nga qeveria e ditës.
Sot, Pyetja kryesore që shtrohet është: “Ose kryeministri është përgjegjës real për gjithë këto krime antikushtetuese që akuzohet, ose akuzat e Opozitës, janë thjesht “fjalë kazani përvëlues”, si thoshte dikur Berisha për Fatos Nanon dhe akuzat “fjalë kazan” që u hodhën ndaj tij, si përgjegjës dhe organizator, për vrasjen e Azem Hajdarit në vitin 1998.”
Meqë ra rasti, termi “kazan”, apo fjalëkazani, ka fillimisht autorësinë e Berishës, përpara se të ngrihej në kult, nga kryeministri i sotëm.
Pas Pyetjes së parë shtrohet llogjikshëm Pyetja e dytë, po aq e rëndësishme: “Përse hesht Presidenti i Republikës, për të gjitha këto “shkelje” të mëdha kushtetuese?”
Përgjigja se roli i tij kushtetues, nuk e lejon të ndërhyjë apo të marrë anë në politikën dhe debatin e ditës, është tashmë krejt e pamjaftueshme.
Ose, bëhet e mjaftueshme nëse ai, Presidenti, mendon dhe gjykon se “akuzat e rënda” të Opozitës, që “denoncojnë” kryeministrin për shkelje të rënda kushtetuese, janë “fjalë të nxehta kazani” dhe se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është e paprekur dhe e sigurtë.
Ndryshe, Garanti, do ta kishte thyer heshtjen, fort dhe qartë, i vetëdijshëm se:
“Heshtja e tij, si Noter i Kushtetutës”, është një “Heshtje” që në të vërtetë e noterizon pozitivisht qeverinë e përfolur të kryeministrit dhe zvogëlon ndjeshëm peshën e akuzave Opozitare, në opinionin shqiptar dhe në atë ndërkombëtar.
Lluks më të madh politik për kryeministrin e sotëm, nuk mund të ketë! Aq më tepër që LSI, parti e themeluar nga Presidenti i sotëm, është tanimë një parti opozitare e akuzave më “radikale”, që lufton publikisht për rrëzimin e këtij kryeminstri, si një “Rrezik publik”, kriminal dhe antikushtetues.
Sot, shqiptarët janë pjekur shumë politikisht, ata, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme, besojnë së pari veprat, pastaj fjalët.
Për aq kohë që Ilir Meta do të jetë President, edhe Edi Rama do të mbetet Kryeministër!
Ndërkombëtarët, që veprojnë përmes ekuacioneve të thjeshta dhe janë tashmë të mësuar me politikën shqiptare, duke parë këtë “binom” të ri, Rama-Meta, do vijojnë ti japin një liçensë vazhdimësie qeverisë së sotme…