Helikopteri i Forcave të Armatosura ka ndërhyrë për të shuar zjarrin që ka rënë në pyllin e Semanit.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes për të shuar flakët në dispozicion është vënë një helikopter Cougar i FA i pajisur me kovat e posacme me kapacitet 2500 litra.
"Kovat u instaluan në helikopterët e FA dy muaj më parë dhe kanë rritur me 7 herë kapacitetin për përballimin e emergjencave civile", sqaron ministria.
Zjarri i cili u lokalizua mesdiën e sotme deri tani ka djegur 2 hektarë me pisha dhe shkure.
Ndërkohë më herët 4 zjarrfikëse mbërritën menjëherë për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve. Në vendngjarje shkoi edhe prefekti i qarkut Baki Bala.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë nga pakujdesia.





