Numri i jahteve turistike që janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit që nga fillimi i vitit 2018 tashmë e ka tejkaluar shifrën vjetore të vitit 2017. Jahtet janë ankoruar kryesisht në kalatat e Terminalit të Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor).

Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave, që nga 1 janari 2018 në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 296 jahte të përmasave të ndryshme. Ndërkaq, sipas të njëjtit burim, mësohet se shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.

Vetëm gjatë periudhës 1-22 gusht 2018 në Durrës kanë qëndruar për periudha deri në një javë 63 jahte me flamurë të vendeve të ndryshme të botës.

Turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të qytetit tonë. 

APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit.