Plazhi i Durrësit konkurron me plazhet e tjera të vendit me çmimet e ulëta që u ofrohen sipas kategorive të gjithë pushuesve.

Në këtë plazh çdo kategori pushuesish gjen shërbime në bazë të të ardhurave që disponon.

Bardhyl Rrahimi është mjek pediatër i qendrës universitare të Prishtinës. Ai ka mbërritur në plazhin e Durrësit së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre për 8 ditë. Mjeku nga Kosova thotë se ka gjetur kushte shumë të mira.

“Moti është i ngrohtë dhe çmimet janë të lira, jo si vend turistik”, thotë mjeku. Ata janë duke qëndruar në një banesë në të cilën ofrohen të gjitha kushtet që nga kondicioneri, interneti, kuzhina e të gjitha mobilimet e nevojshme, kundrejt 25 eurove në natë. Mjeku është shumë i kënaqur me çmime dhe me çfarë ka gjetur deri tani.

Ai thotë se me një shumë prej 500 euro do të kalojë së bashku me familjen 5 anëtarëshe 8 ditë pushime në Durrës.

“Në vende të tjera turistike është e pamundur sepse kanë çmime shumë të larta. Në Durrës, çmimet janë të lira ashtu si edhe shërbimet e tjera e për këtë jemi shumë të kënaqur”, thotë kryefamiljari.

K.H.