Tragjedia në Genova që shkaktoi vdekjen e 39 personave, ka vënë në alarm edhe autoritetet shqiptare. Nga java e ardhshme, Policia Rrugore dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nisin inspektimin e të gjitha urave në vend për parametrat e sigurisë dhe praninë e tabelave që kufizojnë tonazhet. 

Drejtori i Policisë Rrugore Mithat Tola, pohoi se ka filluar inspektimi i sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura, po ashtu edhe gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.

“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, nisur nga ngjarja tragjike – rrëzimi i Urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë. Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementëve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke “prodhuar” me shumë siguri rrugore”, tha Tola.