Futbolli Meksikan është goditur nga një tjetër tragjedi. Një futbollist është qëlluar për vdekje, në momentin që një bandë e armatosur pushtoi ndeshjen amatore midis Real Tepeaca dhe Tochtepec, duke hapur zjarr dhe duke qëlluar mbi 100 plumba. Autorët e krimit mbeten ende të paidentifikuar, por burimet lokale raportojnë se rreth 20 persona të armatosur sulmuan fillimisht tifozët, duke u vjedhur  telefonat celularë dhe portofolat.

Më pas, mendohet që banda ka kërkuar në mënyrë specifike numrin 9 të Real Tepeaca, para se ta qëllonin pa pushim. Pamjet e transmetuar tregojnë futbollistin, që mendohet se ishte në të njëzetat, të shtrirë me fytyrë poshtë dhe të mbuluar në pellgun e gjakut të tij. Pavarësisht transportimit për në spitalin më të afërt, nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra. Autoritetet vendase kanë filluar hetimet për të zbardhur autorët dhe arsyen e kësaj ngjarjeje të rëndë.