Teuta ka zhvilluar një tjetër test miqësor në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Durrsakët, luajtën ndaj ekipit të Egnatias, ku dolën triumfues me rezultatin e ngushtë, 0-1. Autor i golit të vetëm për ekipin e Bledi Shkëmbit, në ndeshjen që u luajt në qytetin e Rrogozhinës ishte Amadu Latif.
Skuadra e Bledi Shkëmbit pothuajse është kompletuar në të gjitha repartet, me afrimin e Ditmar Bicajt dhe të Tefik Osmanit qendra e mbrojtjes “blindohet”, ndërkohë që në repartet e tjera duhet dhe pak ndërhyrje për të qenë plotësisht gati për nisjen e sezonit të ri futbollistik.Teuta po sheh edhe në tregun e huaj, megjithatë, ka edhe lojtarë të huaj brenda tregut shqiptar që ende janë të lirë dhe të gatshëm për firmë. Mësohet se me durrsakët do të firmosë shtatlarti që sezonin e shkuar ishte pjesë e Flamurtarit, Lancinet Sidibe.
Burime bëjnë me dije se firma mes palëve është vetëm çështje orësh. Çdo gjë pritet që të zgjidhet dhe ish-mesfushori i Flamurtarit të zbresë në Durrës. Teuta synon që të rikthejë dyshen Sekou Camara – Lancinet Sidibe, duke qenë se e njohin lojën e njëri-tjetrit prej një periudhe të gjatë kohe dhe se mund të japin shumë garanci para mbrojtjes durrsake.Në javën e parë të kampionatit, pikërisht më 19 gusht, Teuta do të presë Flamurtarin. i quajtur ndryshe derbi bregdetar do të zhvillohet që në javën e parë. Durrsakët do ta kenë të vështirë, megjithatë, me përforcimet e bëra, Shkëmbi ka mundësitë që të tentojë maksimumin në çdo sfidë.





