Transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi vazhdon të diskutohet ende në ambientet futbollistike, teksa fjalën e tij për të gjithë këtë histori e ka thënë edhe shefi ekzekutiv i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, i cili nuk e miraton lëvizjen në merkato të Juventusit, që në total shpenzoi 117 milionë euro për sulmuesin 33-vjeçar.

“Ajo e Cristiano Ronaldos është blerja që ka tërhequr më shumë vëmendjen. Unë e kuptoj, është një futbollist që ka fituar gjithçka me Realin e Madridit. Për 5 vite ka qenë lojtari më i mirë në botë. Por, çështjet e marketingut kanë luajtur një rol jo të vogël në transferimin e tij te Juventusi. Gjithsesi, Bayern Munchen nuk do të investonte kurrë kaq shumë para për një futbollist 33-vjeçar”, tha Rummenigge.

Por, Rummenigge shtoi se vajtja e Ronaldos në Torino do të jetë një impuls i ri për Juventusin dhe për vetë kampionatin italian, që nuk po kalon një periudhë të mirë.

“U habita që Andrea Agnelli vendosi të ndërmarrë një lëvizje të tillë. Në Itali, kjo blerje ka pasur shumë jehonë. Nga këndvështrimi i Juventusit, transferimi i Ronaldos ka kuptim. Me këtë lëvizje, në Itali shpresohet që të rifitohet vëmendja e të gjithë botës futbollistike”, vijoi Rummenigge.