Vllaznia kërkon një trajner dhe një drejtor sportiv. Deri këtu gjithçka në rregull, sepse pas rënies së skuadrës në Kategorinë e Parë ishte normale që të kërkohej kohë për të ringritur strukturat për ringritjes sa më të shpejtë të ekipit më të vjetër në futbollin shqiptar, por kur për këto dy pozicione bëhet një njoftim për shtyp në faqen zyrtare sikur të kërkohet një kamarier apo banakier, atëherë jemi në kufinjtë e groteskut.
Sepse një klub me traditë dhe emër si Vllaznia problemin më të fundit dhe më të thjeshtë për të zgjidhur duhet të kishte gjetjen e njerëzve të duhur për anën sportive, sigurisht pasi të vinte në shina problematikat burokratike që nuk kanë të bëjnë me fushën e blertë.
Askush nuk do ta refuzonte Vllazninë, edhe në Kategorinë e Parë, nëse Bashkia, si aksionare e vetme e klubit, do të zgjidhte prej kohësh problemet që vetë i ka shkaktuar. Vllaznia s’mund të jetë një klub që fton trajnerë, përkundrazi duhet të ketë luksin të zgjedhë mes më të mirëve, pa qenë nevoja që ky proces të bëhet pjesë e Facebookut.





