Teuta kërkon një qendërmbrojtës me eksperiencë dhe Ditmar Bicaj ka tërhequr interesin e drejtuesve bregdetarë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kanë nisur kontaktet me Bicajn dhe bisedimet janë në fazë të avancuar. Pas largimit të Ante Hrkaç, kërkohet një mbrojtës me eksperiencë për të forcuar qendrës e mbrojtjes dhe 29-vjeçari i plotëson të gjitha kriteret.
Për më tepër, trajneri Bledi Shkëmbi e njeh mjaft mirë, pasi gjatë kohës që ka qenë lojtar te Skënderbeu e ka pasur shok skuadre dhe ia di vlerat. Bicaj ka një eksperiencë të madhe në Kategorinë Superiore, pasi ka luajtur për skuadrat më të mëdha në vend, ndërsa në të kaluarën ka luajtur edhe jashtë vendit.Fillimisht ka qenë pjesë e PFC Belasica në Bullgari, ndërsa më pas ka provuar edhe një eksperiencë tjetër në Iran ku luajti për një sezon, duke grumbulluar 10 ndeshje dhe një gol.
Afrimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar për “djemtë e detit”, pasi përveç sigurisë që ofron në mbrojtje ka një eksperiencë të madhe, të cilën do ta vërë në shërbim të shokëve të skuadrës.Gjatë kësaj periudhe Bicaj është lidhur edhe me një largim te Skënderbeu, me Orges Shehin, që e ka pasur dikur shok skuadre dhe e njeh mirë.
Gjithsesi duket se ish-mbrojtësin e Flamurtarit e josh më tepër Teuta, klub për të cilin nuk ka luajtur kurrë në Shqipëri.Bregdetarët kanë nisur një projekt ambicioz me në krye Shkëmbin dhe po kërkojnë të bëjnë një ndërthurje të lojtarëve me eksperiencë me ata të rinj.
Këtë e dëshmon edhe afrimi i portierit Isli Hidi, i cili mbajti shiritin e kapitenit në ndeshjen miqësore me Skënderbeun dhe sipas të gjitha mundësive ai pritet të jetë kapiteni i bregdetarëve në këtë edicion. Përveç Bicajt, Teuta po kërkon edhe një portier tjetër dhe një mesfushor me tipare sulmuese. Drejtuesit janë në bisedime, por deri tani nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.





