Komisioneri evropian për zgjerimin Johannes Hahn e ka quajtur një tryezë fantastike, mbledhjen me kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama dhe ambasadoren e BE Romana Vlahutin.

Ndër të tjera komisioneri Hahn ka porositur ministrat të kenë një staf të mjaftueshëm dhe me përvojë që të negociojë me BE-në.

"Nuk jam ulur ndonjëherë përreth një tryeze fantastike si kjo. Shpresoj që të jetë një model. Duhet parë si një mundësi për të diskutuar për zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BE-së. Kryeministri iu referua disa detyrave dhe sfidave por është e rëndësishme të ndajmë se cilat janë hapat para nesh. BE dhe shtetet anëtare kanë theksuar në mënyrë të qartë angazhimin e fortë ndaj politikës së zgjerimit. Ne ose do të eksportojmë si union stabilitet ose do të importojmë instabilitet. Zgjerimi vijon të përbëjë një zhvillim strategjik për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. Jemi gati partnerë biznesi kur bëhet fjalë për këtë lloj investimi. Prania ime në Tiranë tregon fillimin e procesit analitik. Ky është hapi i parë. Në çdo ministri të linjës do tu duhet një personel i mjaftueshëm me përvojë i cili të negociojë me ne sepse është diçka që nuk mund t’i lini vetëm ministrisë së jashtme apo kryeministrisë por duhet të punoni të gjithë dhe të negocioni me ne", deklaroi Hahn.